http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ka zgjatur pesë ditë operacioni i policisë së shtetit për të vënë nën kontroll të plotë fshatin Lazarat, i cili ishte kthyer në një shtet brenda shtetit për vite me radhë. Në orët e pasdites së të enjtes, policia njoftoi se ka vënë tërësisht nën kontroll zonën dhe banesat. Për pesë ditë me radhë fshati u kthye në një fushë beteje, ku policia ka hasur rezistencën e banoreve të cilët kanë qëlluar me armë në drejtim të uniformave blu. Qellim i këtij aksioni ishte goditja e trafikante dhe grupeve kriminale që kundërshtonin me armë aksionet e uniformave blu, për të asgjësuar lenden narkotike. Tashmë policia ka nisur të ushtrojë kontroll edhe në ato banesa që deri me tani nuk ka mundur të hyjë. Depërtimi në thellësi të fshatit ka qene i vështirë, për shkak të breshërive të armëve që vinin nga qendra. Por tashmë në të ndodhen një sërë efektivesh të policisë si dhe makina të shumta. Pas mesditës së të enjtes, 800 forca policore, të RENEA-s dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë, iu shtuan edhe 200 police femra. Po ashtu në terren janë edhe 60 automjete, ndërsa dy helikopterëve shërbejnë për transportin e trupave dhe monitorimin e zonës. Më herët gjatë ditës policia ka kontrolluar shtëpitë e tokat në qendër të fshatit si dhe të asgjësojë parcelat me lëndë narkotike, ndërsa ka shkatërruar laboratorë të tjerë të përpunimit të lëndës narkotike. Në fshatin me 500 banesa pjesa me e madhe janë kontrolluar. Lazarati shtrihet në një kodër, në një gjatësi që arrin deri në 4 kilometra. Për pasojë, forcat speciale janë detyruar të veprojnë duke avancuar shtëpi më shtëpi e rrugicë pas rrugice. Në këtë aksion trupat speciale janë pajisur me mjete të posaçme për t'iu përgjigjur grupit të zjarrit, madje edhe me armatim të rëndë për të reaguar në çdo rrethanë që mund të krijohet nga bandat kriminale. Deri më tani kanë përfunduar në pranga 13 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë janë në kërkim. Që nga dita e parë e operacionit, në Lazarat janë asgjësuar 80 mijë rrënjë kanabis, si dhe një sasi mbi 12 ton e 800 kg hashash me vlere mbi 30 milionë euro. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 2 laboratorë përpunimi të bimëve narkotike, si dhe sasi e konsiderueshme municioni dhe armësh.