http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në rrugën nacionale Milot-Burrel, jo shumë larg kryeqytetit ndodhet qyteza e Ulzës, ku ndodhet i pari park rajonal natyror në vend. Kjo pikë turistike në të cilën janë të ndërthurura element karakteristikë të natyrës si liqeni me të njëjtin emër, vargmalet që shtrihen përgjatë tij, bimësia e pasur etj, ofron një panoramë të bukur për këdo që shkon atje. Por 2.5 km rrugë që të çon drejt kësaj qyteze karakteristike edhe për ndërtimet e saj, janë një shkak për frenimin e turizmit në këtë zonë. Për shkak të rrugës së dëmtuar, banorët shfrytëzojnë liqenin edhe për transportin e kafshëve apo edhe ushqimeve nga njëra anë e zonës tek tjetra. Kryetari i Komunës Ulëz, Adrijet Gjeçi, thotë se ka dorëzuar një projekt për rrugën pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit prej dy vitesh dhe pret miratimin e tij, ndërsa shton se rruga e dëmtuar nuk lejon zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës në këtë zonë. Ulza është një ndër 12 njësitë vendore të rrethit të Matit e vendosur në anën perëndimore të tij. Në këtë zonë gjenden dy basene ai i Ulzës dhe Shkopetit, ndërkohë që njerëzit këtu merren kryesisht me bujqësi dhe peshkim. Liqeni i Ulzës, shquhet për peshkun krap, i cili në këtë zonë gatuhet në zgarë. Për këtë Inspektorati i Peshkimit dhe Komuna janë të angazhuar që ta mbrojnë liqenin nga gjuetia e paligjshme, si dhe ta pastrojnë ujin nga ndotja. Parku Rajonal Natyror i Ulzës u shpall si i tillë një vit më parë dhe ka një sipërfaqe prej 4200 hektarësh.