http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
E nisën grevën e urisë një ditë më parë 14 ish- të përndjekur politikë, por gjatë paradites në çadrat e vendosura përpara parlamentit vendosën tu bashkohen edhe tre të tjerë. Edhe pse kanë përfituar dy këste nga dëmshpërblimi si ish të burgosur politikë, Gëzim Cela dhe Fadil Dema kërkojnë jo vetëm të marrin pjesën e mbetur të shumës nga vitet e burgut, por pretendojnë zgjidhje edhe për çështje të tjera. Për herë të dytë në grevë urie si ish i përndjekur edhe Shaban Hoxha i ka marrë këstet e para të dëmshpërblimit. Ai kërkon edhe rikthimin në punë të familjarëve të vet të larguar nga kjo qeveri. Ndërsa dy motrat nga Tropoja Bedrie dhe Xhane, të vetmet gra në grevën e urisë, më shumë se sa dëmshpërblim kërkojnë eshtrat e babait të tyre të vrarë në vitet e komunizmit. Në natën e parë të grevës ish-të përndjekurit janë vizituar nga kreu i opozitës Basha. Në fakt pak ditë më parë Ministria e Mirëqenies Sociale ka ngritur një grup pune i cili ka propozuar disa ndryshime ligjore. Ish-të përndjekurit politikë femra dhe ata që vuajnë nga sëmundje të rënda do të jenë të parët që do marrin lekët e dëmshpërblimit. Aktualisht 2754 ish të dënuar politikë janë gjallë dhe për të likuiduar tetë këstet që u takojnë, duhen në total 8.5 miliardë lekë. Grupi i punës i ngritur në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, do të nisë shumë shpejt shqyrtimin edhe të mbi 2000 dosjeve të ish të përndjekurve politikë, që kanë ngelur jashtë kësaj skeme për shkak të mangësive në dokumentacion. Ndërkohë greva e të larguarve nga administrata ka hyrë në ditën e 9-të. Në çadrat e vendosura në krah të Kryeministrisë grevistët vijojnë hyrje - daljet drejt spitalit, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.