http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kujdesi për dhëmbët tek fëmijët ka një rëndësi të veçantë për shëndetin e tyre gjatë gjithë jetës. Nëse dhëmbët nuk kurohen dhe trajtohen në moshë të vogël mundësitë për shfaqjen e problemeve me to janë më të mëdha kur rritesh. Një nga shërbimet që ofron arsimi 9-vjeçar në Shqipëri përveç mësimdhënies është edhe ai stomatologjik ndaj fëmijëve. Por a u ofrohet ky lloj shërbimi nxënësve nga dentistët e shkollës dhe si u ofrohet? Jashtë kamerave mësuesit thonë se pothuajse çdo shkollë e ka një dentist, por në fakt kushtet e ambienteve ku ofrohet shërbimi nuk janë në nivelet e duhura. Sipas tyre vet prindërit nuk duan që fëmijët të kurohen tek stomatologu i shkollës pasi nuk kanë besim tek cilësia e shërbimit. Ministria e Shëndetësisë shprehet se është në dijeni të këtij problemi dhe po e ndjek çështjen me vëmendje. Sipas programit të qeverisë shumë shpejt urdhri i Stomatologëve do të ndahet nga ai i mjekëve. Për këtë qëllim prej disa kohësh është ngritur një grup pune nga dikasteri i Shëndetësisë për të dëgjuar grupet e interesit dhe bashkëpunuar me përfaqësuesit e stomatologëve.