http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në ditën që opozita zgjedh ta kujtojë rënien e bustit të ish-diktatorit Hoxha përmes protestës, qeveria përuron një lulishte në zonën e ish-Bllokut! Bëhet fjalë për këtë ambient, i cili deri dje i përkiste vilës qeveritare, e njohur ndryshe si ish-vila e Mehmet Shehut. Artan Lame, i cili këtë herë ka zgjedhur të prezantohet si ekspert i territorit dhe arkitekti Artan Shkreli u shprehen se kthimi i këtij ambienti në lulishte për Tiranën, është mënyra simbolike e qeverisë për të rrezuar edhe murin e fundit të ish-Bllokut Komunist, këtë 20 shkurt. Nëfakt, ky ambient i cili pritet të rehabilitohet me ndriçim, por edhe me vënien në punë të shatërvanit ka një historik. Në vitet '50 ai u krijua për të qenë lulishte dhe u përdor si e tillë, por u mbyll më vonë, në vitet '70 duke u izoluar si pjesë e gardhit të Vilës 30. 23 vite më parë, më 20 shkurt 1991, shqiptarët rrëzuan simbolin e diktaturës 45-vjeçare që udhëhoqi vendin. Qindra njerëz, studentë, pedagogë por edhe njerëz të thjeshtë hodhën në sheshin "Skënderbej", monumentin e diktatorit Enver Hoxha, emrin e të cilit mbante edhe universiteti shtetëror. Rrëzimi i bustit në këtë ditë pasoi edhe grevën e urisë së studentëve.