http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Zbulohet tritol në Burgun e Drenovës. Në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi i hetimit, por deri tani nuk ka një komunikatë zyrtare nga ana e tyre, lidhur me sasinë e gjetur, por drejtori i këtij burgu tha për gazetarët, se pas arratisjes, gjithçka e gjetur në këtë burg ka lidhje vetëm me këtë ngjarje. Gjithashtu, drejtori ka hedhur poshtë aludimet se sasia e eksplozivit është hedhur në ambientet e burgut nga policë të larguar nga puna. Kjo është hera e tretë brenda pak muajve në burgun e Drenovës, ku të dënuarit atje bëhen protagonistë të ngjarjeve të pazakonta. Më 23 nëntor të vitit të kaluar Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Reiz Haxhiraj, Gëzim Toma, Artur Gora dhe Eduart Lula të gjithë të dënuar për vepra të rënda penale, të ndihmuar edhe nga Altin Lami, Olsi Maçi dhe Albi Meçini arritën të realizonin një nga arratisjet më spektakolare nga burgjet shqiptare. Të gjithë të armatosur me armë automatike dhe pistoleta arritën të largohen në më pak se 20 minuta nga ky burg i Sigurisë së Lartë, ndërsa njëri pas tjetrit ata ranë në prangat e policisë shqiptare dhe asaj greke brenda pak ditësh. Pak javë më vonë, në këtë burg u gjetën sharra dhe celularë që përdoreshin nga të dënuarit e arratisur, ndërsa sot u zbulua dhe tritoli të cilin ata duket se kishin planifikuar ta përdornin natën e arratisjes nga burgu. Që nga nata e arratisjes 19 policë të burgut të Sigurisë së Lartë në Drenovë kanë mbetur në burg me akuzën e shpërdorimit te detyrës, tre te tjerë janë të detyruar të paraqiten përpara organeve të drejtësisë, ndërsa 11 të tjerë ndiqen penalisht në gjendje të lirë.