http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Shtatë urat në autostradën Kukës-Morinë ngjajnë si "shtatë plagë" të pambyllura, që po shkaktojnë shumë aksidente dhe viktima. Këto ura kanë pesë vite që kanë nisur dhe ende nuk dihet se kur do përfundojnë për t'u bërë me katër kalime, sipas projektit. Të shtrira në një gjatësi prej 17 km dhe kryesisht në vendet e banuara, urat me dy kalime, janë një shqetësim që nuk po gjen zgjidhje. Ka muaj madje dhe vite që në disa është ndërprerë puna, madje në njërën prej tyre, në fshatin Përbreg punimet në orë nuk kanë nisur ende nga një firmë maqedonase. Rruga deri tek urat është me katër kalime dhe më pas menjëherë, në ura ka kalim vetëm me dy korsi, ndërkohë që blloqet e betonit të vëna në hyrje të tyre pengojnë automjetet që të mos bien në gremina. Në fakt, njëra prej tyre është vendosur, vetëm pasi tre udhëtarë të Kosovës duke ditur se ura është me katër kalime përfunduan në greminë duke humbur jetën. Secila urë ka "dëshmorët" e vet. Për dyfishimin e kalimeve në ura, qeveria e kaluar pati akorduar 10 milionë euro, dhe afati i përfundimit të tyre ishte viti 2011, por askush nuk di të thotë se kur ato do të përfundojnë realisht, pasi kontraktorët dhe nënontraktorët kanë skaduar me kohë. Mësohet se prej kësaj shume, shteti ka dhënë vetëm 300 mijë euro, ndërkohë që pjesa tjetër nuk është lëvruar, duke i detyruar ndërtuesit të braktisin punimet në pritje të lëvrimit të parave.