http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Nëse mua m'u desh sot vetëm një sekondë për të shkrepur këtë fotografi, Shan Picit, shumë vite më parë, i janë dashur orë të tera për të realizuar vetëm një nga këto imazhe që shihni. Edhe pse kohët kanë ndryshuar kaq shumë për shkak të teknologjisë, mjeshtëria e të kapurit të imazhit të 1 mijë fjalëve nuk ka kompromis. I njohur si nxënës i mësuesit Kel Marubi, Pici ishte pinjoll i shkollës shkodrane të fotografisë, por ndryshe nga produkti i Marubëve, ai i Shanit nuk është ekspozuar kurrë më parë në publik. Fototeka kombëtare "Marubi", arkivi më i madh në vend i fotografisë, ka nxjerrë kështu nga fondi i Picit rreth 50 vepra të tijat, me të mirat. Në ekspeditën e tij në malësi, prej së cilës Pici mori epitetin "Shani i Malcisë", fotografi ka fiksuar imazhe edhe të Ernest Koliqit, i cili e shoqëronte në udhëtim. Portrete personazhesh dhe peizazhe mahnitëse të zonës së Dukagjinit apo Valbonës janë ato çka sot trashëgojmë ende. Fotografitë origjinale të Shan Picit, ndryshe nga këto, kanë përmasa shumë të vogla, 4 me 6 centimetra. Veprat do të qëndrojnë të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar deri më 28 Dhjetor, e më pas në muajin shkurt në Shkodër.