http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ekspertët shqiptarë nuk kanë ende një konkluzion përfundimtar për vrasjen e dy vëllezërve Melsi dhe Elvis Collaku, të cilët u qëlluan për vdekje pak ditë më parë nga policia greke ndërsa ata ishin për gjueti në ujerat greke të liqenit të Prespës. Ata bënë këqyrjen e trupave të viktimave pak përpara se ata të përcilleshin në banesën e fundit në fshatin e tyre, Shuec, ndërsa rezultati zyrtar i hetimit nga ta do të dalë pas mbërritjes së ekspertizës së plotë të ngjarjes nga pala greke. Ndërkohë, bazuar në nenin 76 të Kodit Penal, mësohet se Prokuroria e Korçës ka nisur hetimin për vrasje pa autor të dy vëllezërve. Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht për Vizion Plus nga drejtoria e Kufirit të Qarkut të Korçës, burime të së cilës thonë se grupi shqiptar i hetimit nuk ka akoma në tavolinën e punës dy nga elementet kryesorë të hetimit; aktet mjeko-ligjore, por dhe tabelën fotografike, që lidhet me gjithë dinamikën e kësaj ngjarje, prej së cilës rezultoi edhe një viktimë në radhët e policisë greke të kufirit. Siç është theksuar në kronikat e mëparshme të Vizion Plus, trupat e viktimave iu janë dorëzuar familjarëve të zhveshur, ndërsa pala shqiptare ka nevojë për të kryer ekspertizën e rrobave të cilat kishin të veshur dy vëllezërit në momentin kur u vranë, për të mund të nxjerrë konkluzione mbi distancën prej nga janë qëlluar, si dhe gjurmët që kanë lënë plumbat mbi to. Mësohet gjithashtu se, grekët kanë qepur të gjitha plagët e zjarrit të krijuara mbi trupat e dy vëllezërve. Ajo që ka shtyrë ekspertët shqiptarë që të kërkojnë gjithë dokumentacionin për këtë çështje nga pala greke, është konstatimi se njëri prej viktimave kishte një frakturë në krah, por nevojiten prova dhe të dhëna të tjera për të përcaktuar nëse kjo lidhet me dhunën e ushtruar më parë ndaj tyre apo nëse thyerja ka ardhur si pasojë e predhave të plumbave. Ndryshe nga sa është deklaruar deri tani në disa media, ekspertët shqiptarë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që ndaj dy vëllezërve të jetë ushtruar dhunë, por mundësia e manipulimit mbi trupat e tyre në morgun e Kozanit është e madhe. Ndërkohë, arma e gjahut me të cilin u tha se dy vëllezërit kanë hapur zjarr ndaj policisë greke, është sekuestruar një ditë më pas në shtëpinë e tyre, çka përforcon zërat se ata kanë qenë të paarmatosur. Gjithashtu nga inspektimi i mjetit furgon qe përdornin ata, nuk rezulton prezenca e lëndëve narkotike në të. Përsa i përket marrjes së ekspertëve të huaj për këtë çështje, nga ana e drejtorisë së Kufirit mësohet, se nuk ekziston baza ligjore që e mbështet këtë pretendim të familjarëve të viktimave.