http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Tre muaj pas fillimit të punës qeveria çon të parin ministër të qeverisë Berisha para drejtësisë. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka bere kallëzim penal ndaj paraardhësit të saj Arben Imami për abuzim me fondet publike. Ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Imami rendojnë tre akuza; shpërdorim detyre, shkelje e kontributeve të dhëna nga shteti dhe shkelje të barazisë në tendera. Por, ish-ministri Imami i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat duke deklaruar se kallëzimi përfaqëson akt personal hakmarrje nga ana e kryeministrit Rama. "Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se në ministrinë e Mbrojtjes nuk ka asnjë abuzim me ligjin dhe paratë e tyre. Por ishte përcaktuar prej dy vitesh "armiku" i kryetarit të Partisë Socialiste, e pas kësaj u bënë përpjekje për të montuar një akuzë false, duke akuzuar një institucion model për abuzim me tendera, prej të cilave jam i sigurt se nuk do të dalë absolutisht asgjë. I drejtohem zotit Rama; Po kapërcen vijën e kuqe ligjore, etike dhe politike. Kërcënimet e tua nuk trembin askënd, aq më pak mua", është shprehur Imami. Imami ka qenë një prej ministrave më të sulmuar gjatë kohës që e majta ishte në opozitë dhe ndaj tij u ngritën akuza jo vetëm për abuzime me pronat e ushtrisë dhe tenderët, por edhe për përgjim të opozitës.