http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Një pjesë e bizneseve në qytetin e Durrësit do të paguajnë më shumë taksa për vitin e ardhshëm. Këshilli bashkiak ka miratuar paketën e re fiskale për vitin 2014 duke pranuar propozimin e administratës së bashkisë për të rritur me 30 për qind taksat e subjekteve që futen në kategorinë e prodhuesve. Përfaqësues të subjekteve të tilla si pastiçeri, furra bukë, punime duralumini, mobileri, subjekte fason etj, nuk e kanë mirëpritur një gjë të tillë që sipas tyre i çon në rrënim ose në rritje të çmimeve për konsumatorët. Në të njëjtën linjë qëndron edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Andrea Xhavara, është shprehur se tendenca për rritjen e taksave nuk është produktive për biznesin. Bashkia ka argumentuar se është rritur me 30 për qind vetëm taksa për kategorinë e subjekteve prodhuese, pasi kjo kategori e subjekteve ka pasur taksat më të ulëta, krahasuar me llojet e tjera të biznesit. Në fakt, bëhet fjalë për taksën vendore të biznesit të vogël, e cila paguhet në katër këste gjatë një viti, taksë e cila llogaritet në bazë të nivelit të xhiros. Konkretisht për subjektet që kanë xhiro nga 2 milion lekë deri 3 milion lekë në vit taksa në fjalë nga 28 mije lekë të reja, bëhet tashmë 36 mijë e 300 lekë. Subjektet e kategorisë prodhim me xhiro nga 7 milionë lekë deri në 8 milionë lekë me paketën e re fiskale do të duhet të paguajnë 143 mijë lekë, nga 110 mijë lekë që kanë paguar për vitin e kaluar, pra në total 33 mijë lekë më shumë.