http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Arrin në tre numri i ankimeve që opozita ka depozituar në gjykatën Kushtetuese për qeverinë Rama. Pas aktit normativ për ligjin e nëpunësit civil, partia Demokratike në datën 20 nëntor ka depozituar në gjykate kërkesat për shpalljen antikushtetues të aktit normativ për ndryshimin e Buxhetit 2013, si dhe vendimin për kompetencat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Në lidhje me aktin normativ për buxhetin juristët e PD kane analizuar situatën ekonomike dhe ndikimin që ka në këtë situatë rritja e borxhit dhe sipas tyre nëpërmjet këtij akti normative qeveria ka cenuar interesin publik duke sjellë një barrë të tepruar për qytetaret në masën 2800 euro/banor. Sipas opozitës, vetëm nëse niveli i borxhit përdoret për investime publike me eficencë të lartë në ekonomi, ai përben një mjet efektiv për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik të një vendi, por me Aktin Normativ nuk kemi rritje të investimeve publike, por rritje të borxhit kryesisht për efekt të parashikimit tejet të ulët të të ardhurave gjatë 4 muajve të fundit të vitit 2013. Ndërsa në lidhje me INUK, partia Demokratike numëron si shkelje të Kushtetutës të drejtën që vendimi i Këshillit të Ministrave i njeh INUK, veçanërisht për të prishur objektet me leje ndërtimi, apo me leje legalizimi, që vlerësohen nga punonjësit administrativ të kësaj strukture si "të kundërligjshme" e cila sipas PD përbën cenim real të të drejtës së pronësisë. NË kërkesën drejtuar gjykatës Kushtetuese PD thekson se me këtë vendim është cenuar e drejta për ankim efektiv, kemi cenim të parimit të sigurisë juridike, si dhe cenim të decentralizimit dhe ndarjes së pushteteve.