http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Fundi i nëntorit shënon mesa duket edhe fundin kalendarik të vjeshtës dhe fillimin e stinës së ftohtë të dimrit. Në 24 orët e fundit temperaturat në gjithë vendin kanë shënuar ulje të ndjeshme, ndërsa ky ndryshim i motit është shoqëruar me reshje të shumta, kryesisht dëborë në zonat malore. Sipas ministrisë së Transporteve, reshjet e dendura kanë krijuar problemet e para në qarkullimin e automjeteve në disa rajone të thella. Ky dikaster njofton se në qarkun e Shkodrës problematike janë zonat e thella ku trashësia arrin deri në 60 cm dhe kalimi i automjeteve në akset kryesore kryhet me zinxhirë. Kurse në Rrugën e Kombit dhe kryesisht në Kalimash bëhet e ditur se trashësia e dëborës arrin në 15 cm, por nuk ka probleme për qarkullimin, pasi kontraktorët kanë marrë masa për normalizimin e situatës, ku për të mbajtur rrugën e lirë po punojnë katër borëpastruese. Të gjitha akset nacionale dhe rurale janë të hapura por problematike mbetet furnizimi me energji elektrike në dy komuna të Tropojës, të cilat edhe për dy javë do të jenë pa energji elektrike. Sa i takon qarkut të Dibrës, në aksin Burrel-Ulëz, ka rreth 20 cm borë, por kalimi i mjeteve kryhet me dy korsi dhe pa zinxhirë. Kurse në Qafën e Buallit ka patur ngrica dhe si pasojë kalimi kryhet me zinxhirë. Për momentin të bllokuara mbetet komuna e Lurës nga ana e Dibrës, ndërsa drejt saj mund të shkohet nga Mirdita. Situatë problematike nga i ftohti dhe reshjet është edhe në qarkun e Korçës. Më e vështirë situata paraqitet në Qafe Plloçë, por pas ndërhyrjes së kontraktorit, situata është normalizuar. Në Qafë Thanë dhe në Qafën e Qarrit, situata është pa probleme për qarkullimin e automjeteve. Në zonat malore të qarku të Korçës, trashësia e dëborës ka shkuar deri në 30 cm duke sjellë kështu edhe probleme për kalimin e mjeteve. Reshjet kanë përfshirë edhe qarkun e Elbasanit, ku në aksin Elbasan -Peqin -- Rrogozhinë ka patur rënie gurësh, por që më pas janë larguar nga rruga. Reshje dëbore ka pasur edhe në Përrenjas dhe Qafë Thanë, por situate nuk është problematike, ndërsa në aksin Elbasan -- Gjinar, ka patur 5 cm borë dhe kalimi kryhet pa probleme. Vështirësi nga dëbora ka pasur edhe në malësinë e Krujës, si dhe atë të Tiranës, ku në aksin Trau Dajt -- Priskë -- Qafë Mollë -Bizë, ka rreth 20 cm borë dhe kalimi kryhet me zinxhirë.