http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Fermerët e zonës së Kafarajt, komuna Frakull në Fier, kërkojnë ndihmë nga shteti në subvencionime dhe gjetjen e tregjeve të sigurta për luleshtrydhen. Më shumë se 20 hektarë me sera janë mbjellë në këtë zonë me këtë kulturë, sidomos nga fermerë që janë kthyer nga emigrimi dhe që kanë investuar në tokat e tyre. Problemet për ta nisin që nga sigurimi i fidanëve të kësaj bime dhe deri te ngritja e serave, pasi kultivimi i luleshtrydhes bëhet kryesisht në serë. Specialisti i bujqësisë në këtë komunë, Rito Hamataj ka pohuar se pa ndihmë nga shteti ky biznes është i destinuar të humbasë. Sipas tij, shteti duhet të ndërhyjë në përcaktimin e pikave të grumbullimit, tregjeve të shitjes dhe sigurimit të fidanëve pasi ata sillen nga Greqia dhe fermerët paguajnë dy herë zhdoganimin e tyre në kufi. Këtë shqetësim ia ngritën fermerët edhe kryeministrit Edi Rama, në vizitën e tij në njërën prej komplekseve të prodhimit të luleshtrydheve dhe pemëve frutorë në këtë zonë. Arjan Hamataj, njëri prej prodhueseve të luleshtrydheve tha se janë të harruar nga shteti, i cili duhet të ti ndihmojë, duke eliminuar zhdoganimin edhe të fidanëve të luleshtrydhes. Kryeministri Edi Rama tha se gjithçka nis nga shpërndarja e certifikatave të pronësisë së tokës sipas ligjit 7501. Ai premtoi si zgjidhje krijimin e kooperativave bujqësore, rivënien në funksion të rrjetit të kullimit si dhe ndihmën ndaj fermerëve në krijimin e hapësirave për grumbullimin dhe shitjen e produkteve të tyre bujqësore, e sidomos të bimëve të rralla, siç janë dhe luleshtrydhet për të cilat përmendet tashmë kjo zonë. Ndërsa ministri i Bujqësisë Edmond Panariti paraqiti para fermerëve projektet që do të nisin shumë shpejt jo vetëm në këtë zonë.