http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Nisi këtë të hënë nisma sensibilizuese "Ta Pastrojmë Shqipërinë" organizuar nga Green Line Albania, një nismë ndërkombëtare e cila këtë vit do të realizohet edhe në Shqipëri. Një nga pjesët më të rëndësishme të këtij projekti është edhe turneu "Green Bus Tour", i cili do të organizohet në disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë. Nga Tirana, vullnetarët e kësaj nisme udhëtuan drejt qytetit të Elbasanit, ku fillimisht u takuan me kryetarin e bashkisë, Qazim Sejdini prej të cilit morën mbështetje për realizimin e misionit të tyre. Më pas, ata janë shpërndarë në shkollat e mesme dhe në universitetin e qytetit për të mbledhur vullnetarë. Koordinatorja e kësaj nisme Luljeta Shehaj u bëri thirrje të gjithë të rinjve dhe qytetarëve që në 22 nëntor, të gjithë duhet të kthehen në vullnetarë për të pastruar Shqipërinë nga mbetjet. Kreu i bashkisë Qazim Sejdini tha se pastrimi i mbetjeve urbane është problem madhor. Pas Elbasanit, të rinjtë kanë si destinacion Pogradecin, Korçën, Gjirokastrën, Sarandën, Vlorën për tu kthyer sërish në Tiranë me 8 nëntor. Lëvizja "Ta pastrojmë Shqipërinë" është pjesë e "Let's Do it world", e cila kandidon për çmimin "UN Prize" në fushën e të drejtave të njeriut për të promovuar një mjedis të pastër në gjithë globin. Ajo mbështetet nga 107 shtete dhe deri tani ka pasur 8 milionë vullnetarë të aktivizuar. E veçanta e kësaj nisme është edhe aplikacioni mobile që është ndërtuar posaçërisht për këtë kauzë. "TrashOut" funksionon si një hartë e mbeturinave ilegale, ku përdoruesit mund të raportojnë në kohë reale vendet ku ata shohin mbeturina.