http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Pamje të tilla janë bërë të zakonshme në segmentin nga Lini në qytetin e Pogradecit. Peshku shitet në rrugë, por tashmë siç shihet banorët e zonës janë në kërkim të mënyrave të tjera për ta tregtuar atë. Peshkatarët e pajisur me licencë e grumbullojnë peshkun në njësi të caktuara në qytet ose qytete të tjera, por shumica e atyre që merren me peshkim e ushtrojnë aktivitetin në mënyrë të paligjshme dhe kjo duket se është mënyra më e shpejtë e shitjes së peshkut. Policia kufitare ka sekuestruar gjatë një aksioni 18 prej varkave që gjuajnë pa leje në liqen, por në këtë zonë vazhdojnë të operojnë akoma shumë mjete të tjera që shfrytëzojnë liqenin, në mënyrë të jashtëligjshme. Thoma Mijaka, tani është pensionist, por nga viti 1962 ka punuar si brigadier në peshkim. Sipas tij, në atë kohë nga Lini e deri në Tushemisht kishte vetëm katër brigada peshkimi me jo më shumë se 15 peshkatarë dhe kur gjuetia ishte e kontrolluar. Por ajo çka e shqetëson më tepër këtë peshkatar të vjetër është mënyra sesi gjuhet tani peshk, duke dëmtuar edhe koranin, një peshk mjaft i rrallë. Sipas peshkatarëve, nga gjuetia e paligjshme dhe e pa kontrolluar deri tani, korani në veçanti ka ardhur duke u rralluar, por dhe speciet e tjera që rriten në këto ujëra po shkojnë drejt zhdukjes. Gjuetia e pakontrolluar e koranit është ngritur disa herë si shqetësim në të dy anët e liqenit, si në pjesën shqiptare, ashtu edhe në atë maqedonase.