http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Tre ditë pas miratimit të kodit etik ministror, qeveria zbardh përmbajtjen e tij. Në thelb ky kod parashikon sjelljen etike të anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe u kërkon atyre të jenë sa më të kujdesshëm me deklaratat e tyre në publik. Dokumenti përbëhet nga 10 kapituj me 41 nene dhe ka marrë aprovimin e kabinetit. Ajo që bie në sy është neni 3, i cili flet për parimin e besueshmërisë dhe solidaritet, por që në thelb kërkon nga ministrat që të mos bëjnë publike mendimin e tyre lidhur me një nismë apo vendim të qeverisë, cilado qoftë vota e tyre pro apo kundër. Përmes këtij kodi, ministrave u ndalohet të flasin për një çështje e cila paraprakisht është ose mund të jetë objekt i shqyrtimit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ndërsa neni 15, kërkon nga ministrat që të bëjnë një koordinim të mirë të prononcimeve të tyre publike, duke u kaluar deklaratat nga zyra e komunikimit që do të ngrihet në kryeministri. Për të shmangur përpjekjet për përfitim të meritave lidhur me një vepër publike, që mund të vijnë nga aleatët në qeverisje, në rastin konkret LSI, ky kod parashikon që ato të publikohen vetëm si vepër e këshillit të ministrave. Anëtarët e kabinetit mund të botojnë mendime, komente dhe opinione në media të ndryshme dhe të ardhurat e siguruara prej tyre ti kalojnë programeve të ndihmës dhe përkrahjes sociale. Ministrave u ndalohet gjithashtu që të shkruajnë apo të bëjnë marrëveshje për të botuar kujtimet e tij pas largimit nga pozicioni i tij ministror. Kryeministri Rama, Ndryshe nga sa paraardhësi i tij Berisha deklaronte se nuk do të ngrinte asnjë padi ndaj medias, përmes këtij kodi kërkon që ministrat e tij përpara se të ushtrojnë këtë të drejtë për padi ose kallëzim ndaj një medieje ose gazetari të marrin miratimin e tij. Por mos u çudisni nëse ndonjë ditë do të shikojmë dikë nga ministrat të përdore transportin publik, siç kemi parë shembuj nga vende të tjera, pasi këtë e parashikon neni 35 i këtij kodi, megjithëse ne forme këshille. Për të siguruar respektimin e këtij kodi, parashikohet që me urdhër të kryeministrit të ngrihet komisioni i etikës, i cili raporton te shefi i qeverisë për shkeljen që konstaton.