http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Heshtja e Drejtorisë së Metrologjisë, e cila nuk pranon që të bëjë publikë emrat e 14 pikave të karburanteve të cilat mashtronin konsumatorët me sasinë që tregtonin ka revoltuar edhe shoqatën e hidrokarbureve. Sekretari i përgjithshëm i kësaj shoqate shprehet se imazhi që kjo drejtori po krijon për bizneset që tregtojnë lëndët hidrokarbure është përgjithësues dhe sjell kosto. Sipas tij, emrat e pikave të cilat kanë vjedhur në sasi duhet të bëhen publikë, pasi vetëm në këtë mënyrë kompanitë jo abuzuese do të dalin jashtë këtij realiteti që po krijohet. Por sa interes kanë tregtarët e këtij tregu që të vjedhin në sasi. Sipas Viktor Nushit, mashtrimi nuk ndodh në masë, dhe as me firmat e mëdha. Por sipas tij, edhe nëse ka pika të firmave prestigjioze te të cilat është konstatuar mashtrim, Drejtoria e Metrologjisë duhet ta publikojë emrin dhe vendin në mënyrë që njësia qendrore e një rrjeti të caktuar të marrë masa. Ekspertët shprehen se aksionet dhe inspektimet duhen bërë në çdo ditë të vitit, dhe jo dy herë në vit përpara kamerave. Ndërkaq i kontaktuar nga Vision Plus, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë nuk ka dhënë asnjë detaj nëse do të publikohen apo jo emrat e karburanteve që vjedhin.