Paralelisht me nismat për ulje taksash dhe tatimesh, ministria e financave ka gjetur një mënyrë për të kompensuar sado pak deficitin e krijuar në buxhet. Kjo ministri ka vendosur që të ofroje një lojë të re fati, e quajtur kazino elektronike, për të cilën ka përcaktuar edhe tatime konkrete. Gjatë diskutimit të projektligjit në komisionin e ekonomisë, deputetët u përfshinë në debate të forta mes palëve. Opozita thotë se evazioni në këtë treg është i lartë, por një fakt i tillë është mohuar nga përfaqësues të ministrisë së financave. Pjesë e këtij projektligji është edhe ndalimi i importi të këtyre makinerive nga çdo individi, pasi kjo ndikon në shtimin e informalitetit në treg. Ndaj projektligji synon importin e tyre vetëm nga persona të autorizuar në këtë fushë. Ndërsa janë vendosur edhe disa rregulla konkrete, në mënyrë që të mos ketë lojëra fati pranë bankave, një tendencë kjo e cila ka nisur të përhapet kohët e fundit. Qeveria ka shtyrë afatin e përdorimit të bonove të privatizimit deri në fund të vitit 2014. Ministria e financave argumenton se meqenëse se procesi i legalizimit, apo i privatizimit të pronave shtetërore nuk është mbyllur ende shtyrja e afatit është e nevojshme. Sipas shifrave zyrtare nga viti 1991, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave i janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë. Vetëm një pjesë minimale e këtyre bonove janë përdorur, ku rezulton qe kjo vlerë të jetë 10 miliardë lekë, dhe mbeten të papërdorur edhe 41 miliardë lekë të tjerë.