Një 60-vjeçar ka kryer një masakër mëngjesin e sotëm në fshatin Velika Ivança të Serbisë, 50 kilometra në juglindje të Beogradit.
Autori i identifikuar si Ljubisha Bogdanoviç, një veteran lufte, ka vrarë 13 njerëz, mes të cilëve edhe djalin e tij 2-vjeçar, si dhe ka tentuar të vrasë bashkëshorten dhe veten. Në orët e para të ditës, Bogdanoviç ka marrë armën e zjarrit, dhe fillimisht ka vrarë të birin, për të dalë e për të qëlluar më pas mbi gjashtë gra e gashtë burra, që ishin fqinj e të afërm të tij. Më pas ka shtënë ndaj bashkëshortes dhe ka tentuar që të vetëvritet. Çifti dhe një person i tretë janë në gjendje të rëndë shëndetësore në spital. Shkaqet zyrtare të tragjedisë janë ende të paqarta, por sipas mediave serbe, dyshohet se autori kishte probleme me shëndetin mendor. "Ai trokiti nëpër dyert e banesave dhe sapo i hapeshin, niste të qëllonte. Ai ishte njeri i mirë dhe të gjithë do t'ia hapnin derën. Nuk e di se ç'ka ndodhur me të", tregon Radovan Radosavljeviç, një prej fqinjëve të mbijetuar. "Jemi të gjithë të tronditur. Tragjedi të tilla nuk kishin ndodhur kurrë më parë në Serbi. Na duhet të gjejmë sa më parë arsyet e këtij krimi monstruoz." Ngjarja në fjalë ka tronditur opinionin publik në Serbi dhe lajmi ka zënë hapësirën kryesore në mediat vendase.