Çmimi i karburanteve pritet të ketë një rritje të mëtejshme pas një takse të re për mirëmbajtjen e rrugëve qe parashikohet të vilet përmes sektorit të hidrokarbureve. Alarmi vjen nga shoqata "Bisness Albania", sipas te cilës, qeveria po harton një projektligj për sanksionimin e tarifës se re. Drejtori i përgjithshëm i shoqatës, Bardhi Sejdarasi, shprehet se tregu i hidrokarbureve nuk është një zyrë tatimesh, pasi vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit taksa vendore dhe tre taksa të tjera të qarkullimit të makinave paguhen përmes blerjes së naftës dhe benzinës. Ne fakt, përgatitja e draftit është njoftuar edhe ne vendimin e qeverise te publikuar ne fletoren zyrtare, për rishikimin e Planit Kombëtar te Transporteve. Ai përfshin krijimin e një fondi te posaçëm për mirëmbajtjen e rrugëve qe arrin deri në 60 milion euro në vit. Nga ana tjetër, edhe shitjet e karburanteve shënuan rënie te ndjeshme gjate vitit 2011. Shoqata e hidrokarbureve është e bindur se nëse vazhdohet kështu, shitjet do të ulen më tej edhe këtë vit. Deri tani taksa e karburanteve është rritur 2 herë, një herë në muajin gusht, me 5 lekë për litër dhe herën e dyte në 1 janar të këtij viti, me 2 lekë për litër, duke arritur ne total ne 8.4 lek për litër, përfshi dhe TVSh. Nëse vendoset edhe taksa e re e mirëmbajtjes së rrugëve, çmimi i karburanteve mund të arrijë vlerën 200 lekë për litër. Ekspertët parashikojnë gjithashtu një rritje tjetër të çmimit të naftës, si pasojë e forcimit të dollarit në tregun e jashtëm dhe të brendshëm.