TIRANE - Aleati kryesor në mazhorancën aktuale, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta thotë se qeveria ka nevojë për impulse të reja, por sipas tij është kryeministri Rama ai që vendos nëse duhen bërë apo jo ndryshime në kabinetin qeveritar.
I keni kërkuar aleatit tuaj Edi Rama ndryshime në qeveri?
?Ne gjithmonë kërkojmë impulse të reja qeverisëse, kërkojmë standarde më të larta të qeverisjes. Sa i takon ndryshimeve ja kemi lënë iniciativën gjithmonë kryeministrit, por ai e gjykon të arsyeshme...?, - ju përgjigj Meta gazetarëve në përfundim të mbledhjes së kryesisë së LSI-së këtë pasdite.
Meta la të kuptohet se impulset më të gjalla e të fuqishme që ai shprehu si nevojë, nuk gjenden në qeveri.
Këto impulse i ka qeveria apo duhen rinovuar?
Meta: Nëse ju jeni të kënaqur me impulset e deritanishme nuk do isha shumë i lumtur për vlerësimin tuaj, besoj se gjithnjë ka nevojë për impulse gjithnjë edhe më të gjalla e më të fuqishme?
Gazetarët kanë insistuar të marrin një përgjigje të prerë nga zoti Meta ?duhen apo jo ndryshimet në qeveri?, - por kreu i LSI-së njëherësh kryetari i Kuvendit konfirmoi se gjithçka mbetet në dorën e kryeministrit.
Gazetari: Do kemi ndryshime në qeveri?
Meta: Kjo është pyetje që i takon zotit Rama
Pak orë më parë gjatë ditës së sotme, ndërsa dilte nga mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste që Rama drejton, kryeministri i cilësoi sajesa mediatike hamendësimet për ndryshime të mundshme në kabinetin qeverisës.
?Puna juaj është që ju mendoni, ju flisni, ju informoni, ju komentoni dhe pastaj kujtoni që ajo që është folur e kemi folur ne, ndërkohë që e keni folur ju?.- tha Rama.