Nga dita e sotme të gjithë të vegjlit që banojnë në Njësinë nr. 1 do të kenë një çerdhe të re. Kjo falë rikonstruksionit të çerdhes nr. 51 e cila ka qenë pjesë e nismës ?Adopto një çerdhe?. Kryetari i Bashkisë i Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në inaugurimin e çerdhes, kërkoi që komuniteti ta trajtojë këtë godinë jo si pronë të bashkisë, por si një pronë të familjeve.
?Sot kemi një çerdhe të re, në një lagje e cila e ka pasur të nevojshme rikonstruksionin e çerdheve dhe shtimin e hapësirave për fëmijët? u shpreh Veliaj.
Çerdhja nr. 51 ishte një ndër 31 godinat që u përfshinë në nismën ?Adopto 1 çerdhe? dhe që u morën nën administrim nga biznese apo individë.
?Me këtë donacion shkëputemi nga një traditë ku mendojmë për zgjedhjet e ardhshme dhe fillojmë një traditë ku mendojmë për gjeneratën e ardhshme. Kjo është bashkia që ëndërrojnë qytetarët, një bashki që mendon për një brez të ri që do të vijë, që ka nevojë për hapësirë, dashuri dhe ka nevojë për komoditet minimal në vitet e para të jetës?, tha kryebashkiaku.
Në kushtet kur Bashkia e Tiranës ka trashëguar një borxh prej 31 milionë dollarësh, Veliaj e ka cilësuar çerdhen e rikonstruktuar si një dhuratë shumë të bukur që i bëhet qytetit.