TIRANË ? Në një konferencë të gjatë për mediat, drejtoresha e Tatimeve Briseida Shehaj bëri publike shifrat e arritura deri më tani nga aksioni kundër informalitetit. Ajo tha se janë 1440 subjekte të cilat janë gjobitur për shkelje të ndryshme, siç janë punonjësit e pasiguruar, mungesa e kasës fiskale, apo shitja e produkteve pa kuponin tatimor.
Nga 13,352 kontrolle që janë kryer në këto ditë shtatori, këto janë rezultatet e prezantuara nga drejtoresha e Tatimeve Shehaj:
1968 subjekte me shkelje (të lincencuar) por me punonjës të pasiguruar, pa kasa fiskale, mallra pa faturë kuponi tatimot
1440 subjekte kanë marrë gjobë
590 subjekteve u është konfiskuar malli pa faturë
186 subjekte pa regjistruar
Në 10 ditët e para të shtatorit, bizneset kanë lëshuar 50 % më shumë kuponët tatimorë. Kreu i Tatimeve tha se ka një rritje me 6.6 milionë dollarë të vlerës së tatueshme. ?Kjo është një shifër e mirë dhe në bazë të kësaj do shohim xhiron ditore dhe më pas përcaktimin e tatimeve për çdo biznes?, tha Shehaj.
Shehaj u kujdes të theksojë disa herë se qëllimi i këtij aksioni nuk është vendosja e gjobave, por se synohet të arrihet në përfundimin që cdo kush të ketë biznesin e tij në përputhshmëri me ligjin. "Ne nuk duam te veme gjoba, ne thjesht duam te mbledhim tatimet", - tha Shehaj.
Duke ju referuar incidentit të shënuar në Peshkopi ku inspektrët u pritën me sëpatë nga një pronar biznesi, Shehaj tha se tatimorëve në terren u është komunikuar qartë udhëzimi: Jo represion por bashkëpunim ndaj bizneseve.
Shehaj apeloi gjithashtu për regjistrimin online të bizneseve në mënyrë që të shmangin radhët e gjata në zyrat e QKR-së.
Ndërkaq, kreu i Inspektoriatit të Punës Dritan Ylli tha se nga subjektet e kontrolluara, 325 punonjës ishin në informalitet, por që u vendosën në skemën e sigurimeve shoqërore. ?Këto persona janë gjetur në 186 subjekte të paregjistruara por edhe në ato të formalizuara më parë?, - tha Ylli.