LUSHNJE - Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur ka shënuar sërish viktima. Një 33-vjeçar dhe një 29-vjeçar humbën jetën pasi makina me të cilën ata udhëtonin u përplas nga një tjetër automjet, shoferi i të cilit ishte i dehur. Aksidenti i rëndë me pasojë dy të vdekur ndodhi në Lushnje gjysmë ore pas mesnate.
Në prangat e policisë ra Fatjon Berberi banues në Berat, pasi rreth orës 00:30 përplasi me makinën e tij tip Benz mjetin me të cilin udhëtonin Erjon dhe Alban Brahimaj, të dy banues në Ballsh.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Berberi u përplas me makinën Benz të dy të afërmve Brahimaj në rrethrrotullimin e Plugut së Lushnjes. 33-vjeçari Erjon Brahimaj gjeti vdekjen e menjëhershme ndërsa Alban Brahimaj 29 vjeç, i cili ishte pasagjer në makinën që drejtonte i afërmi i tij, ndërroi jetë në Spitalin e Lushnjes si pasojë e dëmtimeve të rënda që mori nga përplasja.
Nga testi i alkoolit rezultoi se Fatjon Berberi drejtonte makinën në gjendje të dehur. Ai akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe drejtim në mënyrë të parregullt të automjetit.