Një person mbeti i plagosur rëndë këtë mëngjes në Fushë- Mamurras, pasi mjeti me të cilin ai udhëtonte u përplas nga treni i linjës Shkodër -Tiranë.
Ngjarja ndodhi këtë mëngjes kur Gerald Biba ka tentuar të kalojë postbllokun hekurudhor në Fushë- Mamurras, por ka mbetur mbi shina duke i ndërprerë rrugëtimin trenit.
Për pasojë treni me pak vagonë, ka marrë përpara për rreth 100 metra veturën me të cilën udhëtonte Biba.
Ky i fundit u dërgua menjëherë në spitalin e Laçit në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas burimeve të policisë në segmentin ku ndodhi aksidenti nuk ka pasur tra që të sinjalizonte mbërritjen e trenit dhe mbylljen e kalimit për automjetet.
Mungesa e tyre ka sjellë shpesh herë ngjarje të rënda në zonën e Laçit dhe të Mamurrasit.