TIRANË - Ardian Fullani, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, do të dalë para gjykatës nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet të 1 vit pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në thesar dhe tenderit miliona euro për blerjen e Hotel Dajtit.
Formalisht dosja Fullani është ende në zyrën e hetuesve pasi ai dhe avokati i tij ende nuk ka firmosur proceduralisht mbylljen.
Pritet që ata të kryejnë këtë procedurë në fillim të javës, ku ish-guvernatorit do ti komunikohet zyrtarisht akuza me të cilën ai do të shkojë në gjyq.
Ndërsa vetë ish-guvernatori i cili pas skandalit u paraqit në prokurori për të dëshmuar është shprehur në atë kohë se ishte i pafajshëm.
Tashmë pritet që dosja të depozitohet në gjykatën penale aty ku me anë të një shorti të përcaktohet trupa gjykuese e cila do të vendos nëse Ardian Fullani ka kryer apo jo vepër penale.
Për skandalin gjykata ka dënuar deri më tani 10 persona mes tyre Ardian Bitrajn e Mimoza Bruziajn si të përfshirë direkt në vjedhje.
Me regjistrimin e dosjes procesi ndaj Fullanit pritet të nis në shtator pasi deri në këtë muaj gjykata do të jetë më pushime.