LUSHNJË - Prej shekujsh familjet shqiptare kanë vuajtur nga dhimbjet e plagëve të shkaktuara nga kurbeti. Një dramë që të kall shpirtin ka hapur dyert e mortit në familjen Sholla në Ardenicë të Lushnjës.
Jakov dhe Elona Sholla kanë humbur në një mënyrë rrëqethëse vajzën e tyre 14 vjeç, Marie Sholla. Pamjet që A1Report sjell nga streha e kësaj familjeje, më së miri do t?i përshkruante poeti i mjerimit, Migjeni.
Vetëm pak ditë më parë dy bashkëshortët dhe vajza e tyre morën rrugën e emigracionit në mënyrë ilegale për në Greqi, për Trikalla. Shpresa për të gjetur një vend pune, i ngrit nga kjo strehë ku varfëria ka shtrirë rrënjët.
Jakov Sholla rrëfen për A1Report rrugëtimin e nisur në këmbë dhe që zgjati vetëm 10 ditë.
Elona Sholla, nëna e 14-vjeçares na rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me Marien. E mitura u mbyt më lum ku kishin ndaluar për të pushuar e për tu freskuar.
Por historinë e vërtetët të kësaj tragjedie e rrëfen ky ditar i shkruar nga Maria. Mes rrjeshtash na shfaqet një vajzë me ëndrra, me shpresa për të ardhmen, por që kthetrat e varfërisë e tërhoqën zvarrë në rrugën e kurbetit ku humbi jetën.
14-vjeçarja shkruan se ajo nuk dëshiron të largohet nga vendi, shokët, të afërmit, por shpresa se ky udhëtim do ti japë fund varfërisë bëri që të ndërmerrte rrugën pa kthim.
Për çdo ditë Maria ka rrëfyer rrugëtimin mes shtigjesh të fshehta, momentet kur u duhej të fshiheshin nga policia, vështirësinë e prindërve për të gjetur një punë të përkohshme.
Por në fund të vuajtjeve që përjetonin, Maria shpreson vetëm që të mbledhin lekët për të shkuar në Gjermani, vendi i realizimi të ëndrrave të saj.