A1 Report - Kurbini në Kolegj, Kaso: KQZ mbylli sytë para paligjshmërisë

Report TV 2015-08-22

Views 4

TIRANË - Në fillim të javës që vjen Partia Demokratike do t?i drejtohet Kolegjit Zgjedhor për çështjen e Kurbinit, pasi e konsiderojnë të paligjshëm vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që rrëzoi ankimin e PD-së për pavlefshmëri dhe ripërsëritje të zgjedhjeve në bashkinë e Kurbinit.

Demokratët mendojnë se procesi zgjedhor në këtë bashki ishte i paligjshëm ndërsa janë evidentuar shkelje të shumta që nisin që nga vendimi i KQZ për shkarkimin e anëtarëve të KZAZ përkatëse e deri tek puna e KZAZ-së së re e cila ka marrë vendime në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ konfirmon për A1 REPORT se beteja do të vijojë në Kolegjin Zgjedhor pasi siç thotë Ivi Kaso, KQZ mbylli sytë para shkeljeve ligjore në këtë proces, pasi sipas tij zgjedhjet nuk u zhvilluan në Kurbin.

Sipas demokratëve edhe KZAZ 15 nuk ka pasur kuorumin e duhur për të marrë vendime pasi një anëtare kishte lidhje familjare me një prej kandidatëve për këshillin bashkiak, ndërsa kryetari i emëruar nga KQZ në këtë KZAZ rezulton të jetë një prej figurave që ishte pjesë e shtabit elektoral të kandidatit të ASHE për Kurbinin.

Nga ana tjetër PD e Kurbinit i është drejtuar prokurorisë së rrethit me një kallëzim për paligjshmërinë e vendimeve të KZAZ 15 si dhe për parregullsitë e procesit duke kërkuar dënimin përkatës për komisionerët që shkelën ligjin zgjedhor gjatë procesit.

Një ditë më parë me shumicë të thjeshtë të votave, KQZ rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për pavlefshmëri dhe ripërsëritje të zgjedhjeve në bashkinë e Kurbinit. Pas rreth 5 orë diskutime në KQZ, kjo trupë vendosi të rrëzojë këtë ankim, ndërsa përfaqësuesi i PS në KQZ tha se mungesa e vullnetit politik nga PS për këtë proces nuk i bën zgjedhjet e pavlefshme.

Beteja e demokratëve për Kurbinin ka nisur para mbajtjes së zgjedhjeve ku kërkuan KQZ të pranojë dorëheqjen e kandidatit Altin Biba dhe zëvendësimin e tij me Ilir Pjetrajn, por pa marrë dakordësinë jo vetëm të KQZ, por edhe të Kolegjit Zgjedhor.

Share This Video


Download

  
Report form