Britania, një prej 5 vendeve skeptike që ia refuzuan statusin kadidat Shqipërisë, kësaj here duket se di ta mbështesë vendin tonë.
"The SundayTimes" shkruan se burime qeveritare kanë konfirmuar se Britania do të mbështesë Shqipërinë, pavarësisht të gjitha dyshimeve dhe mendimeve kundër të ngritura nga kritikët.
Sipas medias britanike kryeministri David Kameron po përballet me një revoltë të re mbi çështjen tashmë të shumë debatuar të zgjerimit të Bashkimit Europian.
Zyrtarë të lartë dhe deputetë të lartë i kërkojnë atij të ndryshojë mendim për mbështetjen e Shqipërisë në fazën tjetër të aplikimit për të fituar statusin kandidat, vendim që do të merret më 23 qershor nga ministrat e Jashtëm dhe më 27 qershor do të shprehen liderët e Bashkimit Evropian.
Kameron ka deklaruar më heret se dëshiron të ndryshojë rregullat e BE-së për lëvizjen e lirë të njerëzve, në mënyrë që punëtorët nga vendet e sapoantarësuara në Union, të mos kenë mundësi të hyjnë në Angli deri në momentin kur të ardhurat mesatare në vendin e tyre të jenë të njëjta me ato në vendet perëndimore evropiane, pra deri ne arritjen e standardeve europiane.
Disa nga skeptikët britanikë i druhen faktit se dhënia e statusit dhe më pas, antarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, do të shkaktojë dyndje të shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe, pasi sipas tyre Shqipëria është një vatër e krimit të organizuar dhe e trafikimit të qenieve njerëzve.
Në dhjetor të vitit 2013, Britania u rreshtua në krah me Francën, Gjermaninë, Holandën dhe Danimarkën duke bllokuar statusin për Shqipërinë.
Tashmë Komisioni Europian përmes një raporti, ka propozuar dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, kësaj here pa kushte.
Qeveria shqiptare ka vijuar një tur lobimi për statusin në vendet skeptike, ndërsa tonet e Kryeministrit ndaj BE-së kanë qënë të ashpra.
Mbetet të presim 23 qershorin për të parë nëse vendet skeptike kanë ndryshuar qëndrim.