Zv/kryetarja e LSDM-së Radmilla Sheqerinska deklaroi se pavarësisht kritikave të BE-së, opozita nuk do të ulë kokën sërish përpara pushtetit, për t'u kthyer në kuvend pasi pikërisht pushteti mbanë përgjegjësinë absolute mbi vërejtjet edhe të Brukselit për kontrollin absolut të mediave dhe mos-ndarjen e aktiviteteve shtetërore dhe atyre partiake. Duke folur në emisionin '15 minuta' në Alsat rreth epilogut të takimit me komisionarin Fyle, Sheqerinska këmbënguli se humbja eventuale e rekomandimit për fillimin e negociatave, nuk mund t'i faturohet opozitës.
"Pushteti do të na akuzojë për gjithçka të mundur por faktet nuk do të ndryshojnë. Edhe atë: e para, në Maqedoni opozita 8 vite tashmë është në parlament por assesi të fillojmë negociatat. E dyta, kur për shkak të mbylljes së Televizonit A1, opozita lëshoi parlamentin disa muaj, kjo nuk pengoi presidentin e Komisionit Evropian dhe po këtë komisionar që të vinin për ta takuar kryeministrin dhe të paralajmëronin fillimin e Dialogut të nivelit të lartë, pra kjo ndodhi në momentin kur opozita nuk merrte pjesë në parlament", tha Radmilla Sheqerinska, zv/kryetare e LSDM-së.
Sheqerinska kujtoi edhe rastet kur opozita është kthyer në kuvend, për të zgjidhur problemet, sikurse rreth hetimit të ngjarje të 24 dhjetorit, apo për ndryshimet në Kodin zgjedhor, por kjo nuk ka rezultuar me sukses. Sheqerinska këmbëngul se pika e vetme rreth të cilës opozita është e gatshme të ulet në tryezë me pushtetin do të ishte formimi i qeverisë teknike e cila do t'i organizonte zgjedhje të parakohshme.
"Jemi të gatshëm të bisedojmë, por e dimë saktë ilaçin për këto probleme në Maqedoni. Nëse edhe më tej Gruevski organizon zgjedhje ai do të vazhdojë të organizojë zgjedhje të manipuluara, shansi i vetëm që institucionet t'i kthejnë obligimet kushtetuese është qeveria teknike, e cila do të organizonte zgjedhje. Për këtë jemi të gatshëm të bisedojmë, pavarësisht se kur do të jenë zgjedhjet e ardhshme", deklaroi Radmilla Sheqerinska, zv/kryetare e LSDM-së.
Zv/kryetarja e LSDM-së Radmilla Sheqerinska tha se opozita nuk do ta zbulojë strategjinë e veprimit në periudhën e ardhshëm për të mos e përgatitur pushtetin për t'iu kundërvënë atyre. Nga ana tjetër, organizimin e zgjedhjeve të tjera të pjesshme për t'i mbushur ulëset e opozitës në parlament Sheqerinska i cilëson si anti-kushtetuese. Sipas saj në këtë mënyrë do shkelej edhe parimi demokratik 'një njeri, një votë', dhe do të thellohej akoma më shumë kriza politike. Semra Jakupi