Tiranë -- Nesër do të nisë në Tiranë, maratona 7-ditore e "Rally Albania" .Evenimenti sportiv i garës me motorrë dhe makina sportive vjen në edicionin e 10-të të tij.
Drejtori Ekzekutiv i "Rally Albania", Edvin Kasimati, bëri publik internerarin që do të ndiqet nga pilotët, nëpër gjithë Shqipërinë:
"Dita e diel, 8 qershori,"- tha Kasimati, - "është prologu i garës që fillon në sheshin "Nënë Tereza" dhe shkon në zonën e Petrelës. Ditën e hënë kemi etapën e parë Tiranë -Peshkopi; ditën e dytë Peshkopi -Parku i Lurës -Peshkopi; ditën e tretë kemi etapën më të gjatë të garës maratonë Peshkopi - Përmet - Orikum.
Ditën e katërt kemi një shetitje në gadishullin e Karaburunit.
Ditën e pestë kemi një etapë përsëri të gjatë, e cila fillon në Vlorë dhe mbaron në Tiranë, por duke kaluar edhe nga Tomorri dhe Divjaka.
Ditën e shtunë kemi dhe mbylljen e garës, që është në një etapë të shkurtër Tiranë -Tiranë" - tha Kasimati.
Në turin 7- ditor të garave sportive, që do të fillojë në Tiranë, do të jenë pjesëmarrës, 23 shtete europiane, që do të garojnë në terrenin e vështirë shqiptar, nga ku do të dalë dhe fituesi i tij.