"Pavioni i Shqipërisë, gëzim legjitim për një sukses të gjithëpranuar!" Me këto mbresa, Kryeministri Edi Rama doli nga pavioni i Shqipërisë në Bienalen e Venecias. Kryeministri Rama qëndroi gjatë në pavionin e Shqipërisë në Arsenale, kushtuar arkitekturës, titulluar "Monumente të Mundshëm Ardhmërisht të Parealizuara", ku u prezantuan punët e dy artistëve shqiptarë "Penthouse" (Shtesat), një seri pikturash nga Edi Hila dhe "The Column" (Kolona), video/instalacioni nga Adrian Paci.
"Për ne, për mua si Kryeministër i një vendi, i cili nga larg shihet si një vend që gjeneron ankth, është një betejë shumë e rëndësishme, nga njëra anë, për të investuar më shumë në kulturë dhe nga ana tjetër, për të paraqitur këtë anën tjetër të vendit, që paraqet një panoramë shumë rrezatuese dhe shumë tërheqëse, e përfaqësuar nga artistë vërtet të mëdhenj, jo vetëm në artin pamor, por edhe në muzikë dhe në të gjitha sferat e krijimtarisë", u shpreh Kryeministri.
Kuratorja e pavionit të Shqipërisë Jonida Turani u shpreh se kjo paraqitje është vetëm fillimi i bashkëpunimeve të tjera.
"Ky projekt nuk mbaron këtu, por shërben edhe si pikënisja e një debati që mund të vazhdojë veçanërisht në Shqipëri, sepse ky është edhe qëllimi ynë, pra, jehona dhe rezonanca e tij në vendin e origjinës", tha Jonida Turani.
Edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumabaro, shprehu krenarinë për suksesin e artistëve shqiptarë dhe paraqitjen dinjitoze të pavionit të Shqipërisë.