Shkodër-Një i vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i një ngjarje të rëndë të ndodhur mbrëmjen e 6 qershorit, në lagjen "Bahçallek" të qytetit të Shkodres.
Enver Barbullushi 52 vjeç është ekzekutuar me armë zjarri kallashnikov rreth orës 20:30 minuta në një lokal brenda një karburanti në këtë zonë, ndërsa kanë mbetur të plagosur, i biri i tij Samet Barbullushi 25 vjeç dhe Nezir Shega 46 vjeç.
Sipas burimeve të Policisë, Enver Barbullushi ka humbur jetën rrugës duke u transportuar për në spitalin rajonal të Shkodrës, pasi plumbi e ka goditur në kokë.
Ndërkohë të plagosurit Samet Barbullushi dhe Nezir Shega janë dërguar menjëherë në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje babë e bir kanë qënë duke pirë kafe në lokal pranë një pike karburanti sëbashku me 46- vjecarin Shega, ndërsa pranë atyre është afruar një automjet tip golf.
Nga automjeti kanë dalë 2 persona të cilët kanë qëlluar me breshëri në drejtim të lokalit ku ndodheshin viktima dhe të plagosurit.
Mësohet se përpara shkrepjes së armës, 25 vjeçari Barbullushi u ka kërkuar autorëve të mos qëllojnë.
Menjëherë pas kryerjes së krimit, 2 autorët, si dhe 2 persona të tjerë që po i prisnin brenda në automjetin tip Golf janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Forca të shumta të policisë dhe ndërhyrjes së shpejtë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet.
Pak minuta pas kryerjes së krimit autorët kanë djegur automjetin në një kodër të fshatit Mali i Hebajve në komunën e Berdicës, vetëm 3 km nga vendi i krimit.
Për më shumë klikoni në http://www.oranews.tv/