Kreu i BDI-së Ali Ahmeti pranoi për herë të parë në mënyrë të hapur tërheqjen nga gjuha shqipe që të jetë zyrtare në mbarë vendin. Ai tha se këtë kompromis e ka bërë në emër të integrimeve euro-atlantike të vendit, pasi shpreson ende në një vendim pozitiv për anëtarësimin e vendit në NATO në Samitin e shtatorit. Megjithatë Ahmeti u shpreh i bindur se çështja e emrit nuk mund të zgjidhjet pa ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar. Për këtë, ai kërkoi edhe njëherë angazhimin serioz të tyre në këtë proces.
"Në shtator organizohet Samiti i NATO-s. Ne do të punojmë në maksimum që diçka e mirë të ndodh. Bëmë kompromis, u tërhoqëm nga një pikë e rëndësishme për shqiptarët që ka të bëjë me gjuhën shqipe, me qëllim që të avancojë rruga euro-atlantike e vendit", tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ahmeti nga ana tjetër pranoi se në vend, ka ende drejtësi selektive. Edhe pse ai nuk përmendi emra, qëndrimi i tij aludonte procesin gjyqësor 'Monstra', me gjykatës dhe prokurorë me ngarkesa fashiste.
"Partnerë na kanë të gjithë ata që do luftojnë në këtë vend, të mos ketë drejtësi selsektive. Sepse akoma ka drejtësi selektive në këtë vend. Pavarësisht që ne jemi në pushtet, akoma padrejtësi ka, sepse nuk kontrollohet çdo virus dhe çdo gjyqtar e prokurorë me ngarkesa, të mos them edhe fashiste, sepse po shihen dukshëm edhe pse nuk janë të shumtë, por ama të rrezikshëm. Dhe ne duhet të punojmë që elementë të tillë në këtë vend, të mos ketë", u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ahmeti i bëri këto komente gjatë fjalës së tij në Kongresin e Tretë të partisë, ku me unanimitet u zgjodh për një mandat tjetër 4 vjeçar, në krye të BDI-së. Gjatë fjalimit të tij Ahmeti u ndal edhe tek opozita, të cilën e kritikoi për bojkotin. Ai bëri thirrje edhe për pajtim përfundimtar të maqedonasve dhe shqiptarëve. Ahmeti gjithashtu tha se në ciklin tjetër zgjedhor pret 200 mijë vota me qëllim të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve të partisë. Në kongres u zgjodh edhe Këshilli i Përgjithshëm i partisë, i cili në dy ditët në vijim do të zgjedhë emrat që do të drejtojnë postet ministrore të qeverisë së re. Semra Jakupi