TIRANE - Shkon në 12 numri i personave të shoqëruar për vrasjen e Viktorës Skejës në Tiranë, ish-kreu i Cez-Shpërndaje në Laç. 47-vjeçari u ekzekutua me breshëri plumbash nga armë automatike pasditen e të djelës në rrugën "Riza Cerova". Të shoqëruarit janë të gjithë nga Kurbini dhe që jetojnë prej vitesh në Tiranë. Ndërsa A1 Report siguron foton e 47-vjeçarit të vrarë. Edhe në atentatet e mëparshme ndaj tij nuk ishte bërë asnjëherë publike në media pamje apo foto të Skejës.
Sipas burimeve policore, shoqërimet janë kryer në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni apo edhe të dyshuar për ngjarjen. Të 12 të shoqëruarit janë lënë të lirë pasi u janë marrë deklarimet pasi nuk ka patur prova që u dokumentonte dijeninë apo pjesëmarrjen në vrasje.
Të njëjtat burime thanë se nuk ka ende një motiv të provuar për ngjarjen dhe po punohet me skemën e eleminimit të pistave që lidhen me konfliktet e mëparshme të viktimës. Policia ka rihapur dosjen e plagosjes me armë të Skejës në kazino shtatorin e vitit të kaluar, e cila në atë kohë u klasifikua si grabitje. Rihapja e dosjes pa autor bëhet për të parë nëse ka lidhje mes dy ngjarjeve.