A1 Report - Fier, Gaiani: Shqiperia meriton statusin e vendit kandidat ne BE

Report TV 2015-08-22

Views 1

FIER- Në kuadër të festës së Republikës Italiane, e njohur ndryshe si festa e 2 qershorit, u ngrit sot ne qytetin e Fierit në sheshin "Europa Piaca" flamuri kombëtar i Italisë. I pranishëm në ceremoninë e organizuar në nder të kësaj dite të rëndësishme për shtetin fqinj, ambasadori italian në Tiranë Massimo Gaiani, shprehu mbështetjen e Italisë për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE. Sipas tij, 23 qershori do të jetë një ditë e shënuar për shqiptarët.

"Fillon sot një muaj i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për udhëtimin e saj drejt Evropës. Me besim dhe vendosmëri Italia mbështet hyrjen e Shqipërisë në BE dhe në rrugën e saj drejt Evropës. Shqipëria e meriton dhënien e statusit kandidat dhe shpresojmë që në fund të këtij muaji, edhe pse me vonesë të marrë statusin e vendit kandidat", tha ambasadori italian në Tiranë Massimo Gaiani.

Ndërkohë festa e Republikës Italiane është zhvilluar edhe në Vlorë. Edhe këtë vit ceremonia është mbajtur në portin e Jahteve në Orikum, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të autoriteteve lokale, deputetë, biznesmenë italianë e fasonë. Ndërsa i ftuar nderi edhe këtë vit ishte ish-presidenti i Republikës Alfred Moisiu.

Konsulli i përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Stefano Bergesio. Ndërsa vuri theksin te bashkëpunimi ndërmjet dy popujve dhe shkëmbimet kulturore e tregtare, theksoi se Italia do t'i kushtojë një vëmendje të veçantë kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.

"Jemi në prag të një ngjarje të madhe. Pas një muaji Italia do të jetë në krye të presidencës së Bashkimit Europian. Një moment historik dhe politik me shumë rëndësi. Gjatë të cilit do t'i kushtohet një vëmendje e veçante kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Europian. Italia e shikon procesin e zgjerimit si një faktor stabiliteti dhe progresi për të gjithë vendet e Ballkanit perëndimor", tha Bergesio.

Aktivitetet në kuadër të festës së Republikës së Italisë do të vijojnë në Vlorë në teatrin "Petro Marko" me një koncert instrumental, ndërsa pritet që festimet të kulmojnë nesër në 2 qershor në Tiranë.

Share This Video


Download

  
Report form