ELBASAN- I ati i Flamur Pislit, Nuredini kërcënon sërish me jetë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi. Pesëmbëdhjetë vite vjet nga pengmarrja e autobusit me pasagjerë grekë ku mbeti i vrarë, Flamur Pisli, dhe një shtetas grek, rreth 30 persona mes tyre familjarë të Flamurit dhe përfaqësues të Shoqatës së Emigrantëve protestuan sot në qendër të qytetit të Elbasani. Ata i kërkonin drejtësisë zbardhjen kësaj ngjarjeje.
Protestuesit me pankarta në duar ku shkruhej: "Duam drejtësi, djali ynë nuk ishte kriminel", u drejtuan më pas për në Qafë-Krrabë në vendin ku ndodhi vrasja.
Në fjalën e tij i ati i Flamir Pislit, Nuredini, u shpreh se ka ardhur koha për të vënë në vend dinjitetin e të birit, e ndërsa shtoi se nëse faktohet se Artan Didi është vrasësi i të birit, atëherë ai do të bëjë vetëgjyqësi sipas kanunit.
Të afërmit e Flamur Pislit, kryen homazhe në vendin e ku ai mbeti vrarë gjatë një aksion policor, për lirimin e pengjeve në një autobus të ardhur nga Greqia.