MPB konfirmon grevën e emigrantëve, Avokati i Popullit: Organet nuk veprojnë

alsatmtv 2015-08-22

Views 0

Emigrantët e huaj në Qendrën për Strehimin e Emigrantëve në Gazi Babë kanë ndërprerë grevën e urisë, pas 8 ditësh refuzim të ushqimit. Greva është ndërprerë për shkak të rënies fizike dhe psikike të grevistëve. Policia ka konfirmuar grevën, por shpjegon se emigrantët i janë rikthyer ushqimit të rregullt. Siç thonë nga policia, pakënaqësia e emigrantëve vjen për shkak të stërzgjatjes së qëndrimit të tyre në Qendrën në Gazi Babë. Ndërkohë mësohet se greva e ndërprerë dje është e dyta brenda muajit, pasi një grup tjetër kishte shfrytëzuar grevën me uri për të kërkuar transferim në Qendrën për azilkërkues në Vizbeg, ku trajtimi dhe kushtet e qëndrimit janë më të mira. Kushtet katastrofale në Qendrën për Strehimin e Emigrantëve i ka konstatuar edhe Avokati i Popullit.

'Përderisa Ministria e Brendshme vetëm formalisht miratoi akte nënligjore për trajtimin e tyre, Qendra për trajtimin e të huajve edhe pse pranoi, nuk respektoi dhe nuk realizoi asnjë rekomandim të Avokatit të Popullit. Këtë e konstatuam në vizitën e paparalajmëruar. Atë gjendje të cilën ju e alarmoni në televizionin tuaj, ne e kemi konstatuar dhe e kemi alarmuar te organet, por për fat të keq organet nuk ndërmarrin asnjëfarë veprim', tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Avokati i Popullit theksoi se të gjitha zhvillimet po ndiqen me kujdes, dhe pas informatave të Alsat M, ata edhe njëherë do ta inspektojnë Qendrën për strehimin e emigrantëve në vizitë të pa paralajmëruar.

'Sa i përket asaj se ne a do të kujdesemi, dhe a do të bëjmë vizitë të jashtëzakonshme, çështja se kur do të bëhen ato vizita nuk publikohet. Ne do ta bëjmë një vizitë të tillë', deklaroi Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Numri më i madh i emigrantëve në këtë vijnë nga lufta e përgjakshme e Sirisë. Ka edhe nga Afganistani, Algjeria, Somalia, Eritrea, Sri Lanka dhe Maroku. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form