Gazi Baba dhe Serova, dëme të mëdha nga përmbytjet e djeshme

alsatmtv 2015-08-22

Views 1

Përmbytjet e mbrëmshme që përfshinë Shkupin kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Banorët e lagjeve Gazi Babë dhe Serovë vazhdojnë të luftojnë me fekalet që kanë dalë në sipërfaqe. Sipas tyre, reshjet e mbrëmshme ishin të zakonshme, por shtëpitë e tyre u përfshinë nga ujërat si pasojë e mungesës së kanalizimeve. Banorët janë organizuar vetë, për të larguar ujin në shtëpitë e tyre, e kryesisht nga bodrumet. Ata shprehin revoltë për mos shpërfillje nga institucionet. Banorët e lagjes Gazi Babë, thonë se Qyteti i Shkupit nuk iu është përgjigjur thirrjeve të tyre për zgjidhjen e këtij problemi. Sipas tyre, autoritetet duhet marrin përgjegjësinë dhe të kompensojnë dëmet, përndryshe banorët paralajmërojnë protesta.

"Dëmet materiale janë shumë të mëdha, mendoj se është mbi 15 mijë euro.... Çdo reshje që vjen ne përfundojmë jashtë, duke ndihmuar njëri-tjetrin. Nuk jam vetëm unë këtu, por edhe fqinjët e mi, pas çdo reshje shiu, ujërat futen në hapësirat tona... Faji është i tyre, asgjë nuk ka bërë ai. Tani ata duhet t'i paguajnë dëmet, të na japin dëmshpërblim dhe të rregullojnë kanalizimet fekale dhe atmosferike, dhe jo të ndërtojnë përmendore, kuaj, luana, anije dhe barka...Duam që urgjentisht të vijë dhe të diskutojmë si qytetarë të Maqedonisë dhe të zgjidhet ky problem, sepse nga këtu do të fillojë, do të mbarojë me protesta dhe duke e bllokuar bulevardin Nikolla Karev", u shpreh Abdi Alein, banor i Gazi Babës.

Banorët e lagjes së Gazi Babës thonë se rruga në bulevardin Nikolla Karev, gjithmonë sjell probleme për shtëpitë e tyre. Ata thonë se shtëpitë e tyre janë shënjestër përmbytjesh, qoftë edhe nga reshjet e zakonshme. Nga ana tjetër, edhe banorët e lagjes Serovë janë përfshirë nga përmbytjet e mbrëmshme. Bodrumet e tyre sot ishin ende nën ujë, mobiliet dhe orenditë janë shkatërruar, ndërsa dëmet materiale janë të mëdha. Frika më e madhe e tyrë vjen nga pasojat që mund të sjellin ujërat e zeza; sëmundje të mundshme. Ata presin që autoritetet të ndërmarrin masa urgjente.

"Këto janë fekale dhe paraqesin sëmundje. Nuk di si do ta dezinfektoj këtë vend, ky vend duhet dezinfektuar. Nuk është punë shiu, por kjo vjen nga fekalet. Shpresoj se autoritetet do të marrin masa, nëse jo atëherë duhet të vazhdojmë kështu", tha Sali Shiroki, banor i Serovës.

Ndërkohë, në të njëjtën lagje takuam edhe përfaqësues të Entit për Punë Sociale nga Komuna e Çairit, të cilët po evidentonin dëmet nga përmbytjet e mbrëmshme nëpër disa familje. Por ata refuzuan të prononcohen për televizionin Alsat lidhur me masat e mundshme parandaluese të përmbytjeve. Adrian Kerimi

Share This Video


Download

  
Report form