Dy ditë pas vrasjes dhe trazirave në lagjen Gjorçe Petrov, zyrtarisht u prononcuan dy partitë më të mëdha, VMRO-DPMNE dhe BDI. Bashkimi Demokratik për Integrim si thuhet në komunikatë po ndjek me shqetësim ngjarjet e ditëve të fundit në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit. Vrasja e të riut sipas BDI-së paraqet akt që kërkon dënimin dhe keqardhjen e të gjithëve, sipas të dhënave zyrtare, ajo nuk ka motive etnike dhe fetare, ndaj përpjekjet për ta vënë atë në kontekst etnik, janë të dënueshme dhe të papërgjegjshme.
"Dënojmë vandalizmin e shprehur gjatë protestave të dhunshme. Njëherësh u bëjmë thirrje qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë dhe vetëpërmbajtjen e tyre, dhe të kontribuojnë së bashku me institucionet në rikthimin e rendit dhe të sigurisë. Bashkëjetesa ndëretnike paraqet vlerë që kërkon kujdesin dhe përkushtimin tonë, pa harruar se sjelljet individuale të gjithsecilit mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti në këto marrëdhënie", thuhet në reagimin e BDI-së.
Ndërkohë Partia e Gruevskit përmes një kumtese bën thirrje për qetësimin e situatës, dhe sjellje të arsyeshme nga të gjithë faktorët duke filluar nga të rinjtë, familjarët e tyre dhe subjektet politike, me qëllim që të evitohet përshkallëzimi i situatës.
"U bëjmë thirrje të gjithë partive politike të mos keqpërdorin këtë jetë të humbur për qëllime të vogla politike me ata që kanë mendim ndryshe. U apelojmë të rinjve të cilët këto dy ditë shprehin pakënaqësinë si dhe familjeve të tyre, që ti lejojnë shtetit të veproj sipas ligjeve. Çdo aktivitet kundër ligjit jo që nuk ndihmon dikë, por vetëm mund ta çon shtetin në sfida serioze dhe të krijon tensione të mëdha. Inkurajojmë institucionet të vazhdojnë me mbrojtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë", thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Ndërkohë partitë opozitare kanë vazhduar edhe sot me reagime duke fajësuar pushtetin për situatën aktuale. Kjo sipas tyre tregon mungesën e kapacitetit të shtetit për tu përballur me situatat e tilla. PRSD e Tito Petkovskit vlerëson se kjo është rezultat i thirrjeve nacionaliste të Gruevskit dhe Ahmetit gjatë fushatës zgjedhore.
"Ky pushtet i mbyll sytë para problemeve, kalkulon me to, i vendos ndër qilim dhe i nxjerr kur ka nevojë në aspekt politik siç atë e bëri dje. LSDM kërkon nga Nikolla Gruevski dhe Gordana Jankullovska menjëherë të ndërpresin me manipulime, t'i largojnë duart nga populli dhe mediat dhe t'i qasen punës ", tha Oliver Spasovski, LSDM.
"Ata nuk u kritikuan gjatë fushatës, a dëgjuat ndonjëherë që Ahmeti ta sulmoj Gruevskin apo Gruevski Ahmetin. Por ata te shqiptarët dhe maqedonasit u drejtuan me teza të njëjta nacionaliste shoviniste të drejtuar kushtimisht thënë kundër popullit tim", u shpreh Tito Petkovski, PRSD.
Reagimet e partive në pushtet vijnë dy ditë pas trazirave të dhunshme në lagjen e Gjorçes ku në shënjestër ishin shqiptarët dhe pronat e tyre. Gjyltene Rexhallari