Përfaqësues të sektorit civil u bëjnë thirrje qytetarëve për qetësi dhe maturi pasi sipas tyre vrasja e një dite më parë nuk ka prapavijë etnike. Ata nga ana tjetër kritikojnë dështimin e organeve të rendit për të penguar trazirat ndëretnike që pasuan incidentin tragjik në lagjen Gjorqe Petrov të Shkupit. Për Xhabir Derallën nga Organizata 'Civil', përshkallëzimi i situatës në planin ndëretnik është rezultat i manipulimit të ndjenjave të qytetarëve nga ana e pushtetit.
'Nxitja e trazirave etnike për shkak të kësaj tragjedie buron nga kultivimi prej vitesh i fjalorit të urrejtjes, urrejtjes në baza etnike dhe politike. Kjo është diçka që nuk duhet të tolerohet në një shoqëri sidomos sikur kjo maqedonase sepse është sikur të luash me zjarr. Gjithashtu ne konstatuam se nxitja e trazirave që kanë prapavijë etnike sikur me dorë dolën në pah pas paraqitjes së një përfaqësues të lartë të strukturave të lartë të pushtetit. Pushteti në këtë shtet luajnë me ndjenjat e qytetarëve, e kultivojnë këtë situatë eruptive prej të cilës përfitojnë një pjesë e vogël e qytetarëve ndërkaq shumë njerëz të tjerë humbin shumëçka përfshirë jetën dhe paqen', deklaroi Xhabir Deralla, Civil.
Vllado Dimovski nga Qendra për tolerancë ndëretnike vlerëson se Ministria e Brendshme dhe Institucionet duhet të zgjidhin situatën me profesionalizëm dhe të mos e përdorin atë sikurse në të kaluarën për zhvendosjen e vëmendjes nga problemet reale në vend.
'Kur diçka nuk shkon në shtet institucionet e sistemit dhe pushteti fshihen pas ngjarjeve të tilla. Sepse marrëdhëniet ndëretnike janë shumë të ndjeshme në Maqedoni dhe shfrytëzohen për qëllime politike dhe për fshehjen e problemeve. Nuk është lehtë të humbet një jetë, revolti tregohet në mënyrë të dhunshme, por nga ana tjetër nëse do të veprohej në mënyrë preventive këto dhunues,vjedhës do të sanksionoheshin me kohë atëherë nuk do të ndodhnin këto ngjarje', u shpreh Vllado Dimovski, Qendra për tolerancë ndëretnike.
Përfaqësues të sektorit civil u bënë thirrje qytetarëve që ruajnë gjakftohtësinë ashtu siç vepruan tre vite më parë pas vrasjes së nxënësit Muhametali Jashari në oborrin e shkollës. Vrasjes së Muhametali Jashari i cili humbi jetën pas përfshirjes në mbrojtjen e shokut të tij maqedonas, nuk iu dha dimension etnik dhe nuk u shkaktuan kurfarë trazirash sikurse ato të një nate më parë. Semra Jakupi