TIRANE --Policia Ushtarake ka vënë në pranga komandantin e brigadës Logjistike Syrja Gjoka, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe dëm ekonomik ndaj shtetit me vlerë 6 milionë lekë të reja.
Arrestimi i Gjokës është bërë mëngjesin e kësaj të premte në dalje të banesës së tij në kryeqytet. Arrestimi i Gjokës vjen në zbatim të vendimit të Gjykatës së Beratit e cila ka caktuar për të masën e sigurisë arrest me burg.
Gjoka i cili drejton Brigadën Logjistike pranë Forcave të Armatosur prej gushtit të vitit 2012, akuzohet se kur ka shërbyer në repartin ushtarak 3002 të Kuçovës si komandant i bazës Ajrore ka abuzuar me detyrën me veprime të kundraligjshme, pa miratimin e eprorëve.
A1Report ka siguruar pamje të momentit kur Gjoka dorëzohet nga policia ushtarake tek policia e Beratit, e sic e shihni është personi me rreth të kuq.
Hetimet e kryera nga prokuroria e Beratit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Mbrojties kanë nxjerrë në pah, se oficeri i lartë ka falsifikuar edhe nënshkrimet e anëtarëve të komisionit të cilët ishin ngarkuar me përcaktimin e objekteve që do prisheshin.
Sipas hetuesve, nga ky veprim, i kryer në kundërshtim me ligjin dhe pa miratimin e eprorëve, gjenerali ka përfituar 6 milionë lekë.
Pas arrestimit të Gjokës Ministria e Mbrojtjes më 10 shkurt 2014 ka kërkuar nga nishani nxjerrjen e tij në lirim, ndërsa pritet që pas arrestimit për shpërdorim detyre, Presidenti i Republikës, i cili njëherazi është dhe Komandant i Forcave të Armatosura Nishani të firmosë dekretin e lirimit nga detyra të Gjokës.
Syrja Gjoka ka një karrierë 37 vjeçare në Forcat e Armatosura, e cila fillon prej vitit 1977 e deri në drejtimin e një prej tre komandave që disponojnë Forcat e Armatosura shqiptare si Komanda e Logjistikës, e cila konsiderohet si një komandë kyçe për ushtrinë.