TIRANË -- Prokuroria e Durrësit ka kërkuar nga televizioni "A1Report!", t'i vërë në dispozicion të hetimit disa materiale filmike që lidhen me hedhjen në det të emigrantit shqiptar Gentian Peta nga trageti "Bridge" para se ky të ankorohej në portin e Durrësit në datën 19 prill 2014.
Prokuroria e Durrësit ka kërkuar që nëpërmjet filmimeve, të marrë dëshmitë e disa udhëtarëve të këtij trageti për rastin në fjalë, të cilët kanë four për kamerën e tv. "A1Report", në kuadrin e një hetimi që ajo ka nisur ndaj kapitenit të tragetit për mosdhënien e ndihmës.
Nga shkresa e Prokurorisë drejtuar tv "A1Report!" mësohet se grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes në datën 19 prill 2014 dhe ka bërë verifikimet e rastit në katin e shtatë, në bordin e krahut të majtë të tragetit, ku thuhej se ishte hedhur udhëtari, por në të nuk ka konstatuar ndonjë fakt në interes të hetimit.
Ndaj, Prokuroria ka gjykuar "se nga disa pamje filmike të dhëna nga media "A1Report!", pasagjerë të këtij trageti jepnin të dhëna me interes, deklarime mbi ngjarjen, mbi mënyrën e rënies në det të shtetasit; pamje filmike të veprimeve të kryera në vend nga kapiteneria. Këto deklarime janë të shoqëruara edhe me pamje filmike të realizuara aty për aty nga personat e pranishëm, që janë pasqyrim objektiv dhe i pananshëm".