Kryetari i Butelit Petre Llatinovski kërkon që sulmi ndaj familjes Zeqiri në Radishan të mos përdoret për qëllime politike. Ky i fundit takoi sot përfaqësues të familjes Zeqiri, fqinjët e tyre, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, shefin e stacionit policor në Butell. Llatinovski kërkoi nga MPB-ja sa më shpejtë të zbardh rastin dhe me këtë jo vetëm banorët e Butelit, por të gjithë qytetarët e vendit të mësojnë të vërtetën.
"Me zbardhjen e këtij rasti, shumë më lehtë do ta kemi të gjithë ne që të mos fillojë ashtu siç kalon koha ky rast të shfrytëzohet për qëllime krejtësisht të ndryshme. Unë mendojë se një gjë të tillë nuk dëshirojë as të paramendojë që rasti i familjes Zeqiri të shfrytëzohet për qëllime politike, pasi një gjë të tillë asnjë banorë i Komunës së Butelit nuk e dëshiron këtë', u shpreh Petre Llatinovski, kryetar i Komunës së Butelit.
Por motivet e sulmeve të njëpasnjëshme që nga viti 2001 nuk i dinë as në familjen Zeqiri. Faik Zeqiri u ankua se të njëjtit persona që ia sulmuan familjen, përsëri janë të lirë dhe siç u shpreh i vetmi i gjykuar për këtë incident është lënë i lirë nga gjyqësia.
'Sot patëm një bisedë me fqinjët tanë, ne me këta nuk kemi asnjë problem, por me ata që bëjnë këto sulme, na nuk i njohim! Ku mundesh, pas këtij takimi ne shkojmë në shtëpi dhe ku mund të dish se çfarë të pret, vitin e kaluar na sulmuan me benzinë, e tani me bomba! Ai çka na sulmoi me veturë është dënuar me 6 muaj burgim, por ai është liruar me kusht, d.m.th a ka qetësi aty, a mundemi të kemi siguri, jo nuk ka! Fëmijët nuk mund të durojnë më tepër, ka 10 ditë që nuk kanë shkuar në shkollë', u shpreh Faik Zeqiri -- anëtar i familjes nga Radishani.
Kreu i Komunës së Butellit u zotua se do të vendos kamera sigurie në çerdhen dhe shkollën fillore përballë shtëpisë së familjes Zeqiri me qëllim që të rritet siguria dhe në të ardhmen të shmangen incidentet. Nga Ministria e Brendshme thonë se janë duke punuar në zbardhjen e sulmit të fundit që i ndodhi familjes Zeqiri ditë më parë. Valmir Kuçi