TIRANË - Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Flourian Rouning ka deklaruar se kuadri ligjor për financimin e partive politike ka mangësi. Deklarata e Ambasadorit Raunig u bë gjatë tryezës së përbashkët që u u zhvillua me KQZ-në për të trajtuar përmirësimin e kontrollit të financimit të partive politike sidomos gjatë fushatave Zgjedhore. Ambasadori ka theksuar se duhet të bëhen publike, shpenzimet dhe financimet në fushata elektorale .
Rouning tha: "Ndonëse kuadri ligjor për financimin e partive politike është përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtyre viteve të fundit, zbatimi i duhur i tij ende çalon. Duhen adresuar mangësitë që kanë mbetur në legjislacion. Ligji nuk afron transparencë të mjaftueshme në raportimin e fondeve të fushatës, pasi nuk vendos detyrime ligjore për bërjen e tyre publike para ditës së zgjedhjeve.
Shqetësimin e ngriti edhe Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, e cila tha: "Për një numër të madh partish politike, është i pamundur kontrolli i financave të fushatave zgjedhore si dhe ai i financave vjetore, për shkak se selitë e partive nuk gjenden në adresat e regjistruara në gjykatë dhe çdo përpjekje për të shfrytëzuar mënyrat e mundshme ka rezultuar pa sukses. Nga verifikimi rezulton se rreth 50% e partive politike të regjistruara në Gjykatën e Rrethit Tiranë nuk kanë marrë pjesë të paktën në katër proceset e fundit zgjedhore."
Pjesëmarrës në këtë tryeze ishte edhe Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi si edhe deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi.
Celibashi shprehu mbështetjen e Qeverisë në ndryshimet që do detyrojnë partitë të bëjnë transparencë ndërsa deputeti i PD-së theksoi se kjo mbetet domosdoshmëri për faktin se me ato financime jotransparentejanë blerë votat.
"Është shumë e vështirë për politikën dhe politikanët të tregojnë xhepat e tyre personalë jo se jo, por as ato të partive politike që përfaqësojnë apo militojnë,"- tha Celibashi. -- "Gjithnjë e më shumë kjo sjell nevojën për forcimin e rregullave për të bërë transparente, financimet që marrin partitë politike dhe nga kush i marrin. Nëse nuk ka rregulla detyruese për ta bërë këtë tranmsparencë, është e vështirë për të mos thënë e pamundur që kjo të bëhet duke e lënë në vullnetin e partive apo politikanëve.
Ndërsa deputeti i PD-së Bylykbashi nga ana e tij tha: "Në zgjedhjet e fundit, financimet qenë në nivel të pakrahasueshëm me të mëparshmet. Flitet për miliona euro të hedhura anembanë Shqipërisë për të blerë votën e zgjedhjeve. Duket që kjo ka qënë e suksshme. Ato që njërëzit i tregojnë në tryeza infomale, sigurisht që nuk dalin në mënyrë formale në këto lloj tryezash, por mbetet problem shumë i madh sepse ky financim po rrëzon themelin e procesit zgjedhor."