Menjëherë pas fjalës së Ministrit Tahiri, nga selia blu nëpërmjet një deklarate për mediat ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, i cili është shprehur se Saimir Tahiri gënjeu vetveten me pretendimin se droga në Divjakë u kap nga operacioni policor.
"Me urdhër te Edi Ramës, Tahiri përgënjeshtroi sot vetveten dhe atë që tha dje duke pretenduar se droga u kap nga një operacion policor", u shpreh Paloka.
Paloka e mbylli fjalën e tij duke thënë se u vërtetua ajo që opozita ka thënë prej kohësh, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Rama së është bërë njësh me kartelin e drogës. Ai u shpreh se "Rama po përpiqet më kot të fshihet pas supave të rrudhura të Braçes dhe Tahirit. Në sytë e çdo shqiptari qeveria e tij ka rënë."
Deklarata e plotë e Edi Palokës
Pas informacioneve se Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po jepte dorëheqjen, ky i fundit zgjodhi të vetëdiskreditohet edhe më shumë përpara qytetarëve në konferencën për shtyp. Me urdhër te Edi Ramës, Tahiri përgënjeshtroi sot vetveten dhe atë që tha dje duke pretenduar se droga u kap nga një operacion policor. I madh dhe I vogël, e di fare mirë se avionit iu thye rrota duke i lënë në derë qeverisë drogën. Droga në Shqipëri transportohet me avionë, gomone dhe furgonë. Vetë policia njoftoi dje për kapjen e një gomone në Vlorë, ndërkohë që po dje në anë tjetër të kufirit, policia greke kapi 360 kilogram hashash të nisur nga Shqipëria. Që vendi po mbytet në drogë këtë e dinë të gjithë. Ngecja në rërë e avionit qeveritar të drogës dhe parave të krimit, mu në plazhin e Divjakës, ka konfirmuar tashmë edhe para më skeptikëve atë që opozita dhe Partia Demokratike ka thënë prej kohës se në Shqipëri karteli i drogës është bërë njësh me qeverinë e Edi Ramës dhe anasjelltas. Edi Rama po përpiqet më kot të fshihet prapa supeve të rrudhura të Braçes dhe Tahirit. Në sytë e çdo shqiptari ai dhe qeveria e tij kanë rënë.