KUKES- Janë dashur vetëm disa orë punë të nxënësve të shkollave, ushtrisë e banorëve të Kukësit, që sipërfaqja e liqenit të Fierzës të pastrohej nga mbeturinat që e kishin mbuluar. Mungesa e një aksioni të tillë pastrimi në zonë, ka bërë që situata të rëndohej çdo ditë e më shumë. Gjendja alarmante në këtë liqen e pasqyruar nga mediat, nxiti edhe pushtetin vendor e banorët e zonave përreth të marrin masa për zgjidhjen e kësaj situate.
Rreth 1000 forca, nxënës shkolle, punonjës të administratës, studente, ushtarë, etj; i janë bashkuar aksionit për pastrimin e liqenit nga mbeturinat, ndërsa po punohet edhe me palën kosovarë që të merren masa për mospërsëritjen e këtij fenomeni.
30 varka u përdoren për mbledhjen e mbetjeve nga sipërfaqja e liqenit dhe nxjerrjen e tyre në breg, ndërsa me anë të 10 kamionëve u transportuan në vendgrumbullime të caktuara, pranë një kompanie ricikluese.
Pas dy ditë verifikimesh nga grupet e task-forcës në terren lidhur me mënyrën e veprimit për largimin e mbetjeve nga liqeni, ka nisur puna për pastrimin e rreth 25 kilometra katrorë.
Niveli i ndotjes në ujërat e liqenit të Fierzës është në nivele alarmante, ndaj kjo detyroi krerët e instancave vendore të ngrinin një grup pune për zgjidhjen e këtij problemi.
Ndotja sipas ekspertëve është evidente në 40 gjiret e liqenit të Fierzës.
Ndotja e lartë në liqen është shkaktuar nga mbetjet që vijnë përmes ujërave të Drinit nga komunat e Prizrenit dhe Drenicës në Kosovë.