Tiranë- Ish-të përndjekurit politikë që vendosën të qëndrojnë para godinës së parlamentit përgjatë gjithë ditës së sotme u larguan prej andej në orët e mbrëmjes.
Ndërkaq të premten do të ketë një vendim sesi do të vijojë kjo grevë urie, me pjesmarrjen e disa prej tyre për shkak të përçarjes së ish-të përndjekurve. Por nëse nuk ka reagim ata paralajmërojnë se greva do të shtrihet në gjithë vendin.
" Nëqoftëse nuk do të kërkojnë negociata me ne për tu ulur dhe për të kërkuar atë që ne na i kanë mohuar. Greva do të vazhdojë edhe në vijim, por njëkohësisht do të dalim me një kërkesë-padi në gjykatë. Nesër e mbrapa jemi përsëri në protesta dhe greva.Nuk jemi as për destabilizim, as për thyrje as për djegie. Ne kërkojmë që të zbatohet ligji po nga ata njerëz që e kanë miratuar ligjin dhe e kanë vendosur" tha një prej ish-të përndjekurve.
Ish-të përndjekurit kërkojnë dëmshpërmblim nga qeveria për vitet e burgut, ndërsa deklaruan se nuk do të lejojnë të përdoren nga politika.