Vdekshmëria e fëmijëve nën moshën 5 vjeç në vendin tonë mbetet e lartë. Raporti i fundit i "Save the Children" tregon se në 1000 fëmijë, që i përkasin kësaj grupmoshe, 16 prej tyre vdesin.
Raporti i përvitshëm "Situata e Nënave në Botë", tregon se Shqipëria renditet e 83-ta, duke rënë me dy shkallë në krahasim me vitin e kaluar.
Sipas këtij raporti, vendi ynë sëbashku me Rumaninë, Turqinë dhe Bullgarinë në Evropën Qendrore dhe Lindore kanë shkallën më të lartë të vdekshmërisë për fëmijët nën moshën 5 vjeç.
Shqipëria ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë, për këtë grupmoshë krahasuar me të gjitha vendet e Gadishullit Ballkanik, respektivisht kjo shkallë është 16.7 vdekje për 1.000 lindje te gjalla. Të gjitha vendet e tjera në rajon kanë shkallë më poshtë se 12 për 1.000 lindje të gjalla.
Veç këtij treguesi, raporti është bazuar edhe në rrezikun e vdekshmërisë së nënave dhe sipas raportit në 2.200 raste vetëm një grua mund të humbë jetën gjatë shtatzanisë apo në lindje, duke pasur kështu një tregues pozitiv.
Tregues tjetër është mesatarja e viteve të shkollimit, të ardhurat kombëtare bruto për frymë dhe pjesëmarrja e grave në politikë.
Në këtë tregues pritshmëria është vetëm 10.8 vite shkollimi formal dhe kjo e rendit Shqipërinë në vendin e 119 (nga 178 vende) në botë në aspektin e arritjeve arsimore.
Krahasuar me fëmijët në vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Shtetet e Pavarura të Commonwealth-it fëmijët shqiptarë kryejnë vite shkollimi më pak se fëmijët në të gjithë rajonin.
-Për pjesëmarrjen e grave në politikë, Shqipëria renditet mes 40% të vendeve me nivelin më të ulët.
Sipas "Save the Children" "çdo ditë, rreth 800 nëna dhe 18.000 fëmijë të vegjël vdesin nga shkaqe kryesisht të parandalueshme. Mbi gjysma e këtyre vdekshmërive të nënave dhe fëmijëve nën moshën 5 vjeç ndodhin në vende me situate të brishtë, të cilat kanë rrezikshmeri të lartë ndaj konfliktit dhe veçanërisht të ndjeshëm ndaj efekteve të fatkeqësive natyrore."
Evropa vazhdon të dominojë vendet e para në treguesin e Nënave në Botë, ndërsa vendet e Afrikes sub-Sahariane renditen si vendet e fundit.